Përshëndetje të nderuar qytetarë të Kosovës dhe më gjërë,
Sot, në këtë ditë madhështore po e festojmë përvjetorin e gjashtë të shpalljes
së pavarësisë së shtetit gati më të ri në botë, Republikës së Kosovës.
Në prag të festimeve të kësaj date histerike, vendi ynë i cili po vazhdon me hapa atletik drejtë përparimit perpetual, në shkëmbim të zhvillimit ekonomik vendosi që asnjëherë mos ta lë pas syve historinë. Natyrisht, mënyra më e mirë e përkujtimit të vështirësive të dekadës së parafundit është ripërjetimi i asaj kohe.
Skenat e policisë në përleshjet ledhatuese me studentët, me gaz lotsjellës në qytet, bastisjet nga njësitë speciale në lokalet e natës, rrethojat e larta pranë institucioneve, përmendoret e heronjve te armatosur e jo të viktimave civile, ngjyrat ushtarake të Newborn-it, na e kujtojnë çdo moment se ne jetojmë në një botë të vrazhdë. Krahas papunësisë, që ta bëjmë këtë situatë më autentike, do të ishte e udhës mbyllja e shkollave fillore dhe të mesme dhe riaktivizimi i mësimit në shtëpitë private. Është diçka që fëmijët tanë duhet ta përjetojnë se vetëm në këtë mënyrë mund ta kuptojnë rëndësinë e shkollimit. Në këtë mënyrë mund t'i menjanojmë edhe telashet me kualitetin e derivateve për ngrohje.
Këtij manifestimi të fortë ushtarak i dha një shije të hidhur ajo puthja e disa vajzave në Sheshin Skenderbeu. Shprehja e dashurisë, në çfardo forme që është ajo, është gjëja më e dëmshme për kombin tone te forte. Ky popull eshte i bindur që shprehja e dhunës është e vetmja që tolerohet. Dashuria i bën njerëzit të dobët kurse dhuna na kalitë, na bën të fortë si kuaj dhe na dërgon me galop te shpejte drejtë Evropes.
Në vazhden e njohjeve të rëndësishme të pavarësisë, përfshirë edhe atë nga Starbucks, simbolin e përparimit shoqëror, sot, zyrtarisht edhe Partia e Fortë e njeh Kosovën.
Ju ftoj të gjithëve që të dilni dhe të festoni me sa më shumë petarde, zhurma e të cilave eshte forma me e mire per t'i kujtuar sakrificat tona ndër shekuj.
Gëzuar të gjithëve!
www.partiaeforte.com
http://www.facebook.com/partiaeforte
http://www.twitter.com/partiaeforte
http://www.instagram.com/partiaeforte