Një nxënëse tetëvjeçe u varros të shtunën në Skënderaj pasi ishte viktimë e vërshimeve të javës së kaluar, ndërsa vetëm një afarist në Klinë thotë se ka rreth një milion dëme. Pasojat e vërshimeve ende janë duke u vlerësuar, por ato mendohet të jenë milionëshe.
Vajza tetëvjeçare Gresa Osmani, viktimë e vërshimeve të javës së kaluar, u varros të shtunën në Izbicë të Skënderajt nën prezencën e shumë nxënësve dhe bashkëfshatareve të tjerë.
Osmani humbi jetën më 15 mars pasi u përfshi nga ujërat e rrëmbyeshëm në afërsi të shkollës se saj "Skënder Skënderi".
Vërshimet në Komunën e Skenderajt kryesisht përfshinë zonat rreth lumit Klina, lumenjtë e Qubrelit, Përroit të Keq dhe Runikut.
Sipas një vlerësimi preliminar të organeve komunale të Skënderajt, dëmet mund të kalojnë 1 milion euro.
"Në fund të javës do të ketë edhe një raport të detajuar rreth dëmeve, por sipas parallogaritjeve dëmet e shkaktuara mund të arrijnë mbi 1 milion euro", tha Hajriz Koci, zëdhënës i komunës se Skenderajt.